Secondary Adv

Tatimet nisin hartimin e rregullave të reja për kriptoasetet me standarde të BE

Administrata Tatimore ka njoftuar se është duke punuar për përshtatjen e kuadrit ligjor me standardet e BE-së për shkëmbimin automatik të informacionit mbi kriptoasetet.


Sipas administratës tatimore projektligji mbështetur mbi kërkesat e direktivës DAC8, që do të vendosë rregulla për shkëmbimin automatik të informacionit mbi kriptoasetet, synon rritjen e transparencës tatimore, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore, duke e përafruar më tej legjislacionin shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian.


Aktualisht në këtë fazë tatimet, po analizojnë kërkesat e direktivës DAC8 dhe lidhjen e tyre me kuadrin rregullator për kriptoasetet. “Puna përfshin identifikimin e subjekteve raportuese, të dhënave që duhet të raportohen, procedurave të validimit, shkëmbimit të informacionit dhe kapaciteteve teknike që duhen zhvilluar”, sqaruan tatimet.


Sipas Administratës Tatimore, përdoruesit individualë nuk do të kenë, në përgjithësi, detyrim të raportojnë drejtpërdrejt sipas DAC8, pasi raportimi do të kryhet nga ofruesit e shërbimeve. Megjithatë, ata vijojnë të kenë detyrimet e tyre tatimore sipas legjislacionit në fuqi.


AT thekson se projektligji nuk synon të kufizojë apo ndalojë përdorimin e kriptoaseteve, por të krijojë një sistem më transparent raportimi, në përputhje me standardet evropiane. Zbatimi i tij do të bëhet sipas kalendarit të përafrimit të Shqipërisë me acquis të Bashkimit Europian, ndërsa subjektet e prekura do të njoftohen për afatet dhe procedurat e raportimit.


DAC8 – Shkëmbimi i informacionit për kriptoasetet


Çfarë është kjo direktivë?


DAC8 zgjeron kuadrin e shkëmbimit automatik të informacionit duke përfshirë kriptoasetet. Ajo parashikon mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit për transaksionet me kriptoasete, me qëllim rritjen e transparencës tatimore në këtë fushë.

DAC8 lidhet edhe me zhvillimet më të fundit të rregullimit evropian për tregjet e kriptoaseteve.


Cili është qëllimi i saj?

Qëllimi i DAC8 është të ndihmojë administratat tatimore të identifikojnë të ardhurat ose fitimet që lidhen me kriptoasetet. Për shkak të natyrës ndërkufitare dhe digjitale të kriptoaseteve, shkëmbimi i informacionit është i rëndësishëm për parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore.


Cilat kategori informacioni mbulon?

DAC8 mbulon informacion për:

përdoruesit e kriptoaseteve;

ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve;

transaksionet e raportueshme me kriptoasete;

shkëmbimet ndërmjet kriptoaseteve dhe monedhave tradicionale;

shkëmbimet ndërmjet llojeve të ndryshme të kriptoaseteve;

transferimet e kriptoaseteve;

të dhëna identifikuese dhe tatimore të përdoruesve.


Kush mund të preket nga detyrimet e raportimit?


Detyrimet kryesore mund të prekin ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve dhe operatorët raportues që kryejnë ose lehtësojnë transaksione të raportueshme. Përdoruesit e kriptoaseteve mund të preken në mënyrë indirekte, pasi mund t’u kërkohet të japin informacion identifikues dhe tatimor.


Çfarë po bën Administrata Tatimore për përafrimin?


Administrata Tatimore po analizon kërkesat e DAC8 dhe lidhjen e tyre me kuadrin rregullator për kriptoasetet. Puna përfshin identifikimin e subjekteve raportuese, të dhënave që duhet të raportohen, procedurave të validimit, shkëmbimit të informacionit dhe kapaciteteve teknike që duhen zhvilluar.


Kur pritet zbatimi?


Zbatimi do të përcaktohet në përputhje me kalendarin e përafrimit me acquis të BE-së dhe aktet përkatëse kombëtare. Administrata Tatimore do të informojë në vijim subjektet e prekura për detyrimet, afatet dhe mënyrën e raportimit.


Pyetje dhe përgjigje për tatimpaguesit


A do të raportohen transaksionet me kriptoasete?

Po, nëse transaksionet dhe subjektet përkatëse plotësojnë kriteret ligjore të raportimit.


A duhet përdoruesi individual të raportojë direkt sipas DAC8?

Në përgjithësi, raportimi bëhet nga ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve. Megjithatë, përdoruesi mund të ketë detyrime të tjera tatimore sipas legjislacionit në fuqi.


A do të thotë raportimi se kriptoasetet ndalohen?

Jo. DAC8 nuk synon ndalimin e kriptoaseteve, por rritjen e transparencës për qëllime tatimore.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat